
Pas videos që u bë virale, teksa një polic në krye të detyrës prekte në vende intime një vajze në mes të rrugës, reagon Policia e Shtetit.
"Pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqet një punonjës policie që ka shkelur rëndë Kodin e Etikës dhe Rregulloren e Policisë së Shtetit, duke cenuar imazhin e Policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për të filluar menjëherë hetimin disiplinor", thuhet në njoftimin e policisë.
Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe DVP Tiranë, pas verifikimeve të kryera dhe hetimit të bërë, identifikuan punonjësin e policisë, i cili është shtetasi M. K., punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3.
Për këtë punonjës u bë pezullimi nga detyra dhe u mor masa e përjashtimit nga Policia e Shtetit, për shkelje të rëndë të Rregullores së Policisë së Shtetit.
Policia e Shtetit dënon ashpër veprime të tilla që cenojnë imazhin e policisë te qytetarët dhe fton cilindo që të denoncojë çdo rast të cenimit të figurës së punonjësve të policisë apo të abuzimit me detyrën, duke u garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.



