
Policia e Shtetit ka njoftuar se në bulevardin "Bajram Curri" në Tiranë është kapur një shtetas i kërkuar, i dënuar në Milano për pjesëmarrje në një organizatë kriminale që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.
Si rezultat i një operacioni të mirëorganizuar, i kryer në koordinim me homologët italianë dhe pas shkëmbimit të informacionit nëpërmjet strukturave të Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, gjatë fazës së operacionit “The Wanted”, është arrestuar shtetasi shqiptar, Bledar Bedini (alias Bledar Imami), 54 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gjykata e Milanos e ka dënuar 54-vjeçarin me 7 vjet burgim për veprën penale të “Importimit dhe mbajtjes së substancave narkotike”, kryer si pjesë e një organizate kriminale.
Aktualisht, Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për ekstradimin e tij në Itali.



