Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gjirokastër, ku një foshnje vetëm 7 muajshe ka humbur jetën gjatë transportimit drejt Spitalit Rajonal "Omer Nishani".
Sipas burimeve nga Policia e Gjirokastrës, ngjarja ka ndodhur më 21 korrik.
Pas rastit, është regjistruar procedim penal ndaj dy mjekëve pediatër, Mikel Koti dhe Edmond Kotoni, të cilët dyshohen se kanë neglizhuar trajtimin mjekësor të foshnjës në dy vizita të zhvilluara gjatë muajit korrik.
Lidhur me ngjarjen, Policia e Gjirokastrës njofton se materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, e cila ka nisur hetimet për veprën penale të mundshme të neglizhencës në trajtimin mjekësor.
Sipas njoftimit zyrtar, dy mjekët pediatër, me detyrë në Spitalin Rajonal Gjirokastër, dyshohet se në dy raste gjatë muajit korrik nuk kanë ofruar trajtimin e duhur për foshnjën 7-muajshe, e cila më 21 korrik 2026 humbi jetën gjatë transportimit drejt spitalit.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje vijojnë.



