
Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë sot në fuqi masën e sigurisë arrest me burg ndaj Rexhep Rrajës. Djali i deputetit socialiste Rrahman Rraja nuk ishte vetë i pranishëm në seancë, ku u përfaqësua nga avokati i tij.
Ndërkohë, në mjediset e Gjykatës së Apelit mbërriti edhe ish-e dashura, Xhisiela Maloku.
25-vjeçarja u tha mediave se ish-i dashuri është i pafajshëm, ndërsa paralajmëroi mediat se do t’i padisë për shpifje.
“Erdha për ta mbështetur, për arsye të trafikut arrita vonë. Kjo bëri që mos të isha në gjykatë. Në seancën tjetër do e mbështes. Nuk jam viktimë. Skam presion. Këtë e kam bërë edhe deklaratë noteriale. Ato që kam thënë në media janë të vërteta, dhe duhet të më besoni. Oficeri i policisë është në azil. Skam informacione të tjera. Kam kontaktuar me të, kam marrëdhënie të mira. Kemi marrëdhënie shoqërore. Erdha për ta mbështetur në gjykatë”, tha ajo.
“Më rrini larg. Po merreni me detajet më të vogla të jetës time. Një media që do merret me jetën time do ta çoj në prokurori”, shtoi ajo.



