
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë të Publike të Kosovës ka njoftuar se në Kosovë është konfirmuar rasti i parë me “Mpox”, i njohur si Lia e Majmunëve.

IKSH informon publikun se me datën 26. 12. 2024 në orët e pasdites, Laboratori i Mikrobiologjisë përmes metodës RT-PCR ka konfirmuar një rast të importuar të Mpox, i njohur më parë si Lia e Majmunëve.
Rasti i gjinisë mashkullore (30 vjeç), shtetas i Republikës së Kosovës, është spitalizuar në Klinikën Infektive/QKUK me datë 24.12.2024, pas kthimit nga një shtet i Afrikës Perëndimore, me simptoma si temperaturë, ethe, ndryshimet në lëkurë, në fytyrë, në duar dhe kruarje.
Tutje thuhet se pacienti është në gjendje stabile shëndetësore.
“IKSHPK i ka gjurmuar të gjitha kontaktet e deklaruara të personit të infektuar dhe të familjarëve të tij, të cilëve u janë dhënë rekomandimet për masat e parandalimit dhe të kontrollit të infeksionit”, vijon njoftimi.
IKSHPK tërheq vëmendjen për kujdes të qytetarëve, sepse personat që preken nga Mpox zakonisht përjetojnë simptoma të lehta apo mesatare që zgjasin dy deri në katër javë dhe shërohen plotësisht.
Mpox (dikur lija e majmunit) është një sëmundje virale që zakonisht bartet nga kafshët te njerëzit.
Sëmundja shkaktohet nga virusi i lisë së majmunit (MPXV), i cili është i pranishëm në disa kafshë të egra (brejtësit, qentë e egër, etj) në disa vende të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore.



