“Game Over” u kodua një operacion i policisë së Vlorës gjatë të cilit u godit një rast i organizimit të paligjshëm i lojërave të fatit në një lokal, duke arrestuar në flagrancë pronari dhe administratori i lokalit, të cilët organizonin lojëra fati me kompjutera dhe çipsa pokeri.
Gjatë operacionit të zhvilluar, në lagjen “24 Maji”, në ambientet e një lokali në pronësi të shtetasit Arbër Lena, 32 vjeç, u konstatua se zhvillohej aktivitet i kundërligjshëm i organizimit të lojërave të fatit.
Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë Arbër Lena, 32 vjeç, pronar i ambientit dhe Sadiel Troka, 42 vjeç, administrator i lokalit.
Gjatë kontrollit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 7 pajisje kompjuterike të përdorura për lojëra fati, një valixhe me çipsa pokeri dhe një përforcues metalik grushti.
Gjithashtu, gjatë verifikimeve rezultoi se Arbër Lena ishte shpallur në kërkim nga policia e Beratit, si i dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë Vlorë, për veprime të mëtejshme.



