
Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Phones” ka vënë në pranga administratorin e subjektit i cili tregtonte celularë kontrabandë.
Si rezultat i tij u bë arrestimi në flagrancë i K. Q., 55 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjerë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi F. Q., 41 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit në subjektin me administrator shtetasin K. Q. dhe punonjës shtetasin F. Q., në Rrugën e Durrësit, shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 27 aparate celulare, që dyshohet se janë futur kontrabandë.
Lidhur me këtë rast materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.



