
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbushur plot me protestues mbrëmjen e kësaj të enjteje, ndërsa revolta e studentëve ka hyrë zyrtarisht në ditën e saj të tretë.
Për mikrofonin e “MCN Lajme”, të rinjtë u shprehën të vendosur për të vijuar tubimin e tyre deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Gazetarja Marina Sulollari raporton nga terreni se protestuesit kanë ndryshuar strategji dhe janë ndarë në dy grupe kryesore: njëri grup është pozicionuar te Rruga e Elbasanit dhe grupi tjetër po marshon përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Protestuesit theksuan se duke u shpërndarë në disa pika kyçe, e bëjnë më të vështirë ndërhyrjen apo shoqërimin e tyre nga forcat e policisë.
Grupet po organizohen në pritje të qytetarëve dhe studentëve të tjerë, të cilët i ftojnë për t'iu bashkuar tubimit në kryeqytet.
Mesazhi i tyre mbetet i prerë: Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në rrugë deri në largimin e kryeministrit.



