
Një person ka rënë në prangat e policisë së Beratit pasi ishte shpallur në kërkim më herët për mashtrim.
Në vijim të kontrolleve të ushtruara në territor, nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Kuçovë, pas informacioneve për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, i cili posedonte dhe armë zjarri, u organizua dhe finalizua operacioni “Osumi”, për kapjen e këtij shtetasi.
Si rezultat, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, Forcat Operacionale të DVP Berat dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasit Endri Koraqe, 30 vjeç, banues në lagjen "11 Shkurti", Kuçovë, i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Kuçovë, Komisariati i Policisë Durrës, Komisariati i Policisë Nr. 6 Tiranë dhe DVP Lezhë, për veprën penale "Mashtrimi".
30-vjeçari merrte makina me qira dhe nuk i dorëzonte më, pasi i kthente në pjesë këmbimi ose i braktiste në rrugë.
Nga kontrolli i ushtruar, shërbimet e Policisë gjetën të fshehur në afërsi të banesës së këtij shtetasi, në Kuçovë, një armë zjarri pistoletë, e cila gjatë hetimeve të para hetimore rezultoi se i përkiste 30-vjeçarit.
Gjithashtu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në vijim të kontrollit të territorit dhe informacioneve të marra në rrugë operative, në lagjen “Çlirim”, gjetën të fshehur një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e poseduesit të kallashnikovit. Materialet janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.



