
Një ngjarje tragjike është shënuar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Peqinit, ku një fëmijë 6-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se është mbytur në lumin Shkumbin.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan bën me dije se rreth orës 19:50, shtetasja D. A. ka njoftuar se nipi i saj, 6 vjeç, ishte zhdukur prej më shumë se tre orësh.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e policisë kanë nisur kërkimet, dhe rreth orës 21:30, trupi i pajetë i të miturit është gjetur buzë lumit Shkumbin, në lagjen “Çezme” të Peqinit.
Sipas policisë, gjatë këqyrjes paraprake të trupit nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa hetimet e deritanishme çojnë në dyshimin se fëmija është mbytur aksidentalisht.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit, e cila do të vijojë me vlerësimin juridik të ngjarjes.



