
Prokuroria e Tiranës ka çuar për gjykim dosjen në ngarkim të pesë personave, të cilët kanë marrë kredi në emër të të tjerëve.

Sipas hetimeve, të përfshirët kanë marrë kredi te Fondi “Besa” në emër të të paktën 15 personave, duke marrë paratë për vete.
Ata akuzohen veprën penale të ‘Mashtrimit’ dhe ‘Falsifikimit të dokumenteve’.
Njoftim për media - Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq pesë shtetasit Ledio Vrapi, Lindita Ndroqi, Eros Aliu, Lindita Peçi, dhe Majlinda Demollari për veprën penale të "Mashtrimit" dhe "Falsifikimit të dokumenteve".
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta persona duke përdorur gënjeshtrën dhe shpërdorimin e besimit, kanë përvetësuar shumat e kredive të marra të paktën nga 15 persona që kanë bërë kallëzim penal duke i mashtruar dhe duke ju përvetësuar shumat monetare.
Shtetasi Ledio Vrapi, ka shtyrë të dëmtuarit nga kjo veprimtari kriminale që të hapnin llogari bankare në emër të tyre, ku janë transferuar shumat monetare të marra nëpërmjet kredive bankare. Po kështu, nëpërmjet gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit ka siguruar kopje të dokumenteve të identifikimit për personat e dëmtuar dhe pa dijeninë e tyre, ka bërë të mundur realizimin e dosjeve të kredisë dhe kontratave të kredise, në institucionin financiar ‘Fondi Besa’ sh.a, duke bërë të mundur çeljen e kredive, disbursimin dhe transferimin e shumave monetare në llogaritë bankare të personave të dëmtuar, tërheqjen e shumave dhe përvetësimin e tyre.
Në kryerjen e këtyre veprimeve, shtetasi Ledio Vrapi, ka bashkëpunuar me shtetasit Eros Aliu dhe Lindita Peçi, të cilët kanë qënë punonjës të shoqërisë ‘Fondi Besa’ sh.a, që kanë qënë në cilësinë e oficerit të kredisë, në lidhje me personat e dëmtuar. Po kështu, ka bashkëpunuar edhe me shtetasen Lindita Ndroqi, e cila ka qënë përgjegjëse e zyrës përkatëse të ‘Fondi Besa’ sh.a, që ka patur në varësi dy punonjësit e mësipërm.
Nga aktet provohet se në veprimet apo mosveprimet e të gjithë shtetasve të përfshirë në këtë skemë vjedhjeje nëpërmjet mashtrimit, provohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kush më shumë e kush më pak, kush në rolin e organizatorit apo të zbatuesit, kanë vjedhur nëpërmjet mashtrimit dhe dokumenteve të falsifikuar.
Shtetasi Ledio Vrapi, në bashkëpunim me shtetaset Lindita Ndroqi, Eros Aliu dhe Lindita Peçi, rezulton se kanë kryer veprën penale të "Mashtrimit", me pasoja të rënda dhe të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 143/3 dhe 25 të Kodit Penal.
Ndërsa shtetasja Majlinda Demollari, në cilësinë e Noteres, ka kryer veprën penale të ‘Falsifikimi i dokumenteve’.



