
Dy adoleshentë në Sukth janë arrestuar nga policia ndërkohë që një 16-vjeçar është vënë nën hetim pasi akuzohen se kanë qëlluar me kallashnikov në ajër duke terrorizuar banorët.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pas marrjes së njoftimit se në Katund, Sukth, tre adoleshentë qëllonin me armë në ajër duke prishur rendin dhe qetësinë, menjëherë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Sukthi”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
K. B., 17 vjeç dhe G. P., 18 vjeç, të dy banues në Katund, Sukth, Durrës, si dhe u procedua penalisht një 16-vjeçar.
Gjatë operacionit, forcat policore kanë ndërhyrë me profesionalizëm, pasi njëri prej adoleshentëve, shtetasi K. B. kishte me vete armën e zjarrit kallashikov, me të cilën këta shtetas qëllonin në ajër.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të banesave, kanë gjetur dhe sekuestruar edhe një armë sportive pistoletë dhe një shkop metalik.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike” në ngarkim të dy shtetasve të arrestuar dhe “Mbajtja pa leje e armëve sportive” në ngarkim të shtetasit të proceduar.



