
Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, gjatë fjalës së tij në seancën dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Monitorimit të Zbatimit të Ligjit, foli për krijimin e SPAK-ut. Ibrahimi tha se institucioni që ai drejton ka miratuar listën me 15 kandidatë për SPAK. Më tej Ibrahimi, tha se ky institucion nuk është formuar ende, pasi anëtarët e tij duhet të kalojnë procesin e vetingut në formë të prerë.
“KLP ka miratuar listën prej 15 kandidatësh për anëtarë të SPAK-ut. Ende sot nuk ka SPAK sepse ende nuk ka përfunduar procesi i vetingut me vendim të formës së prerë”, tha Ibrahimi. Ndërkaq, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë theksoi se, KLP-së do t’i duhet të marrë vendimin nëse SPAK mund të krijohet me më pak se 10 anëtarë, duke shtuar se për marrjen e këtij vendimi do të duhet të merren parasysh edhe disa elemente praktike. “KLP do i duhet të marrë vendim nëse mundet që SPAK të krijohet me më pak se 10 anëtarë, apo ka imponim kushtetues. Na takon ne të themi nëse është e mundur apo jo që SPAK-u të nisë me 10 anëtarë. Në marrjen e këtij vendimi do na duhet të marrim parasysh edhe disa elementë praktikë”, vijoi më tej Ibrahimi.



