Në ceremoninë e hapjes së vitit të ri gjyqësor, Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari kritikoi Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë. Sipas ministrit ky institucion nuk po përmbush siç duhet misionin kushtetues për garantimin e standardeve të larta profesionale dhe disiplinore në sistem.
“Pavarësia e drejtësisë nuk mund dhe nuk duhet të keqpërdoret si alibi për mosveprim, për zvarritje apo për mungesë përgjegjshmërie”, u shpreh Lamallari, duke nënvizuar se “ILD është krijuar pikërisht për të ushtruar kontroll dhe për të garantuar disiplinë, jo për të funksionuar si filtër bllokues ndaj ankesave të qytetarëve”.
Ministri solli të dhëna konkrete që, sipas tij, tregojnë një situatë jo të mirë teksa tha se, gjatë viteve 2023–2025 janë regjistruar 1.374 ankesa pranë ILD-së, ndërsa vetëm 23 vendime për çelje hetimi disiplinor janë marrë për 25 magjistratë.
“Kjo do të thotë se më pak se 2% e ankesave të qytetarëve kalojnë filtrin fillestar për hetim disiplinor. Përtej vështirësive në plotësimin e vakancave, nuk ka asnjë arsye bindëse që të justifikojë një numër kaq të ulët procedimesh disiplinore dhe mungesën e inspektimeve proaktive”, theksoi ministri.
Lamallari paralajmëroi se mungesa e reflektimit dhe veprimit real nga institucionet e përgjegjshme për disiplinën rrezikon të kthejë pavarësinë e drejtësisë në një koncept formal, të shkëputur nga përgjegjësia ndaj qytetarëve.
Në përfundim, ministri siguroi se Ministria e Drejtësisë do të vijojë të referojë çdo rast shkeljeje të afateve dhe standardeve ligjore pranë ILD-së, duke theksuar se pas një dekade Reformë në Drejtësi, sistemi ndodhet tashmë në fazën e llogaridhënies dhe konsolidimit, ku retorika duhet t’i lërë vendin rezultateve konkrete.
“Pavarësia e drejtësisë merr forcë dhe legjitimohet vetëm nga besimi i publikut”, përfundoi Lamallari, duke e cilësuar vitin e ri gjyqësor si një test maturie dhe përgjegjshmërie për të gjithë sistemin.
Lidhur me stokun e dosjeve, Ministri i Drejtësisë veçoi veçanërisht si problematike situatën në gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm.



