“Katrori” u kodua një operacion i policisë së Tiranës, gjatë të cilit u vunë në pranga katër persona, 3 prej tyre me precedentë kriminalë, në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe krimeve kundër personit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë, në vijim të kontrolleve për kapjen e shtetasve që qarkullojnë me armë zjarri, mbështetur dhe nga inteligjenca informative, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Katrori”.
Si rezultat i këtij operacioni, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit: Bledar Matoshi, 33 vjeç; Kid Koshena, 28 vjeç; Klajdi Vrioni (Kodra), 32 vjeç dhe Redion Meshi, 22 vjeç.
Shërbimet e policisë ndaluan në hyrje të fshatit Tujan, në rrugën e Arbërit, automjetin tip “Range Rover” me të cilin qarkullonin këta 4 shtetas. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, u gjetën 2 armë zjarri pistoleta, me krehëra me municion luftarak, të fshehura poshtë kofanos së automjetit.
Në vijim të operacionit “Katrori”, u ushtrua kontroll edhe në banesat e këtyre shtetasve dhe si rezultat, në banesën e shtetasit të arrestuar R. M., shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan edhe 2 armë zjarri kallashnikovë dhe një sasi municioni luftarak.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 4 armë zjarri, një sasi e konsiderueshme municioni luftarak, 5 aparate celulare dhe automjeti me të cilin lëviznin 4 të arrestuarit.
Ndaj të ndaluarve materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.



