Prindërit e Nertil Buzit, 35-vjeçarit që mëngjesin e sotëm vrau ish-vjehrrin, plagosi ish-vjehrrën dhe mori peng ish-bashkëjetuesen e tij, kanë reaguar pas ngjarjes së rëndë duke hedhur akuza ndaj familjes së vajzës.
Sipas deklarimeve të tyre, shkak i përplasjes mes palëve ka qenë një shumë parash që Nertili kishte dërguar nga Anglia në llogarinë e ish-bashkëjetueses së tij gjatë periudhës kur ata jetonin së bashku.
Prindërit e 35-vjeçarit pretendojnë se pas ndarjes, djali i tyre u kishte kërkuar vazhdimisht kthimin e kësaj shume, por sipas tyre, familja e vajzës nuk kishte pranuar t’ia kthente.
Ata thonë se kjo çështje financiare ka qenë në qendër të konfliktit mes dy familjeve, por këto pretendime mbeten deklarime të familjarëve të autorit dhe ende nuk janë konfirmuar nga autoritetet që po hetojnë ngjarjen.
Në reagimin e tyre, prindërit e Nertil Buzit shprehën keqardhje për humbjen e jetës së ish-vjehrrit të djalit të tyre dhe për pasojat e rënda të ngjarjes.
Ata i bënë gjithashtu thirrje publike të birit të tyre që të dorëzohet pranë autoriteteve dhe të mos ndërmarrë veprime të tjera që mund të rëndojnë më tej situatën.



