
Pesë persona janë vënë në prangat e policisë në Poliçan, të akuzuar për kultivim kanabisi,
Shërbimet e policisë Poliçan në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Skrapar, gjatë kontrollit të territorit, në fshatin Plashnik, njësia administrative Tërpan, kanë goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike.
Në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast u arrestuan në flagrancë Ë. M., 54 vjeç, G. M., 61 vjeç, vëllezër, F. M., 21 vjeç, i biri i shtetasit Ë. M., V. B., 44 vjeç dhe D. B., 39 vjeç, vëllezër, të gjithë banues në fshatin Plashnik, pasi dyshohet se kanë kultivuar bimë narkotike, në fshatin ku banonin. Gjatë kontrollit të territorit janë gjetur 37 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në një kasolle afër banesës së shtetasit Gj. M., u gjetën 79 bimë të dyshuara narkotike kanabis në proces tharjeje.
Lidhur me këtë rast materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të kryera në bashkëpunim.



