
Autoritetet italiane kanë arrestuar pasditen e kësaj të shtune 47-vjeçarin Davide Pecorelli, i cili në Janar të vitit 2021 inskenoi vdekjen e tij në Shqipëri. Mediat italiane shkruajnë se Pecorelli do të ekstradohet drejt vendit tonë. Në Tetor të vitit të shkuar, prokuroria shqiptare mbylli hetimet për sipërmarrësin italian, i cili akuzohet për mashtrim, përdhosje të varreve, shkatërrim të pronës me zjarr, veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës dhe kalim të paligjshëm të kufirit.
Sipas hetimeve, për t’i shpëtuar borxheve financiare në Itali, Pecorelli i vuri flakën automjetit që kishte marrë me qira në një fshat të Pukës, brenda së cilës u gjetën eshtra njerëzore, gjithçka në funksion të simulimit të vdekjes së tij. 8 muaj pasi ishte shpallur në kërkim, ai u rishfaq në ujërat e ishullit të Montecristos, në Itali, teksa po përpiqej të ankoronte gomonen me të cilën tha se po kërkonte thesarin.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Vijon shkëmbimi i informacionit me partnerët, për kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht.
Finalizohet nga Policia italiane, në bashkëpunim me Policinë shqiptare, operacioni policor i koduar “Perugia”.
Kapet dhe vihet në pranga një shtetas italian, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me masë sigurie nga Gjykata e Pukës, për një sërë veprash penale.
Në vijim të bashkëpunimit policor me partnerët italianë, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, mbrëmjen e sotme, në Perugia, Itali, Policia italiane, në bazë të kërkesave të autoriteteve policore dhe të drejtësisë shqiptare, falë shkëmbimit të informacionit mes policive të të dy vendeve, finalizoi operacionin policor të koduar “Perugia”, në kuadër të të cilit kapi dhe vuri në pranga shtetasin italian D. P., 47 vjeç.
47-vjeçari ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë, ka caktuar ndaj tij, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Mashtrimi", "Dhunimi i varreve", "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës", "Shkatërrimi i pronës me zjarr" dhe "Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror".
Ky shtetas, në janar të vitit 2021, inskenoi ngjarjen e vrasjes së tij dhe djegies së trupit.
Si rezultat i hetimeve të thelluara të kryera nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit shqiptar dhe Prokuroria e Pukës, në bashkëpunim me homologët italianë, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, si dhe lokalizimi i shtetasit D. P., në një ishull.
Arrestimi i 47-vjeçarit, nga Policia italiane mbrëmjen e sotme në Perugia, u bë me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.



