Si i pushoi Prokuroria e Durrësit hetimet për Porto Romanon: Hedhja e betonit dhe rrafshimi i kodrës “nuk janë ndërtim pa leje”

Si i pushoi Prokuroria e Durrësit hetimet për Porto Romanon: Hedhja e betonit dhe rrafshimi i kodrës “nuk janë ndërtim pa leje”

Hetimet për zënien e pronës nr. 219 të ushtrisë, ish-depon e Minave në Porto Romano kanë nisur që në gusht të vitit 2020.

Një kallëzim penal i depozituar pranë Prokurorisë së Durrësit për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Pushtim i tokës” nga Komanda e Flotës Detare vuri në lëvizje organin e hetimit.

Emisioni "Kronos" ka siguruar vendimin e Prokurorisë, i cila pasi mbajti hetimin për 2 vjet, vendosi në fund të pushonte akuzat e ngritura ndaj kompanisë koncesionare të Porto Romanos “Porti MBM” në pronësi të grupit Kastrati me administrator shtetasin Ahmet Kastrati.

Më 11 gusht 2020, Reparti Ushtarak 2004, pjesë e Flotës Detare, depoziton kallëzimin në Prokurori ku shpjegon se më datën 1 qershor 2020 në brendësi të pronës të ushtrisë nr.219 ishin konstatuar punime të vendosjes së disa tombinove dhe praninë e një vinçi. Pas konstatimit të punimeve, Komanda e Flotës Detare ka urdhëruar nëntetar Azem Laçin për të njoftuar kompaninë që t’i lëvizte nga zona e ushtrisë. Pas njoftimit të nëntetarit, në pronë ka shkuar edhe komanditi i Kompanisë së Dytë të Mbështetjes Aleksandër Muha, i cili i ka komunikuar administratorit të portit tregtar Ahmet Kastratit, heqjen e materialeve nga prona. Administratori i kompanisë koncesionare ka njoftuar se materialet do të qëndronin dhe disa ditë e se kompania nuk kishte synim cënimin e pronës, por vetëm vendosjen e tombinove në kanalin e ujrave që kalon përmes territorit të saj, me qëllim përforcimin e urës që ndodhet mes kufijve të tokës së ushtrisë dhe portit privat.

Por edhe pse kompania koncesionare deklaroi se vendosja e materialeve në pronën ushtarake do të zgjaste vetëm disa ditë, dy muaj më pas, më 11 gusht 2020 përgjegjësi i objekteve ka konstatuar kryerjen e punimeve me mjete të rënda brenda zonës ushtarake. Pas njoftimit të strukturës së ushtrisë, mjetet e rënda lëvizin nga prona. 

“Kanë bërë fotografi, për të cilat ka pasur reagime nga drejtuesi i punimeve, identifikimi i të cilit nuk është bërë i ditur. Gjithashtu është fotografuar targa e njërit nga mjetet”, thuhet në vendimin e prokurorisë së Durrësit.

“Çdo pronë ushtarake ka një tabelë: ndalohet hyrja dhe fotografimi. Ata arrestuan turistët në Poliçan, po këta personat që hynë te kjo prona këtu përse nuk i arrestoi Policia Ushtarake në kushtet e flagrancës? Komandanti ka marrë dijeni, çfarë urdhri ka dhënë? Nxirrini nga prona jonë dhe mbajini derisa të vijnë forcat e policisë ushtarake? Sepse ai ushtari që u përplas në Mjeks me turistët që u sulmua me “spray”, nuk i prangosi dot, por i mbajti aty derisa erdhi policia”, thotë gazetari Arsen Rusta.

Pas depozitimit të kallëzimit, një vit më pas, prokurori Bledar Bejko vendos kryerjen e aktit të ekspertimit teknik për të bërë përcaktimin e kontureve të tokës ku janë kryer punimet.

Aty konstatohet nga eksperti gjeodet Kalo Xhuvani se në total kompania koncesionare e portit ka kryer punime për një sipërfaqe14.740 m2 të cilat përfshihen në sipërfaqen e përcaktuar nga Komanda Detare prej 52.010 m2 si tokë e saj, por vetëm 9000 m2 janë të pajisura me certefikatë pronësie nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Brenda sipërfaqes janë bërë spostime dhe sistemime dherash, shtrime me çakull dhe punime betoni.

Prokurori kërkon mendimin e një eksperti inxhinier për të përcaktuar nëse këto punime i përkasin kategorisë ku kërkohet pajisja me leje ndërtimi. Ekspertja Pranvera Bërdaj thotë se hedhja e betonit, gërmimi i dhërave dhe shtrimi me çakull nuk klasifikohet si aktivitet që kërkohet pajisja me leje ndërtimi.

“Në aktin e ekspertimit të saj, është konkluduar qartë se bazuar në ligjin “Për zhvillimin e territorit” dhe akteve nënligjore të tij, punimet e kryera janë punime për të cilat nuk kërkohet pajisja me leje ndërtimi. Nga subjekti Porti MBM janë bërë punime për qëllime mirëmbajtje, punime që kanë rritur cilësinë e të gjithë truallit me qëllim sistemimin e territorit”thuhet në vendimin e prokurorisë së Durrësit.

Por në referencën ligjore që jep ekspertja e kontraktuar nga Prokuroria ka dy kontradikta: e para lidhet me faktin se Pranvera Bërdaj është eksperte e fushës inxhinierike dhe jo ligjore dhe e dyta lidhet me faktin se neni 6 i rregullores “Për Zhvillimin e Territorit”  aplikohet në rastet e rregullimeve të rifiniturave, fasadave apo pajisjeve të brendshme të shtëpive ose objekteve private që kanë të bëjnë me punime të vogla. Në rastet e lëvizjeve të dheut, që është pika e vetme e nenit 6 që toleron mospajisjen me leje ndërtimi, nuk kërkohet pajisja me leje vetëm për aktivitetet bujqësore dhe jo industriale siç është veprimtaria e portit.

“Ndërhyrje që nuk kërkojnë pajisjen me leje ndërtimi janë: Lëvizjet e dheut, që lidhen, në mënyrë të posaçme, me ushtrimin e veprimtarisë bujqësore ose blegtorale, përfshirë ndërhyrjet në impiante hidraulike bujqësore”, thuhet në rregulloren “Për Zhvillimin e Territorit”.

Por edhe nëse rregullorja do të lejonte punimet e kryera për zhvendosjen e dherave apo betonizimin, sërish duhej marrë një konfrimim nga autoritetet vendore, procedurë e cila ndodh me të gjithë subjektet që kryejnë punime.

Prokurori Bledar Bejko që ka hetuar çështjen ka pushuar edhe akuzën “Pushtim i tokës” duke argumentuar se në pronësi të ushtrisë të pajisura me certefikatë pronësie janë vetëm 9000 m2 dhe sipas ekspertit, në këtë sipërfaqe nuk ka patur ndërhyrje me punime. Nga ana tjetër Flota Detare shprehet se prona e saj është cënuar dhe se pronësia vërtetohet me listën e inventarit të pronave të miratuara me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.515 datë 18.07.2003.

“Në këto kushte rezulton e provuar se nuk ndodhemi përpara elementëve të veprës penale të parashikuara nga neni 200 i Kodit Penal”thotë në vendimin e pushimit të hetimeve prokurori Bledar Bejko.

“Policia Ushtarake në këtë rast duhet të bënte lirimin e hapësirave, këtë gjë duhet ta kishte bërë më herët, që në momentin kur kanë nisur punimet. Të dyja kanë dështuar si Shtabi i Përgjithshëm dhe Ministria e Mbrojtjes për të bërë të mundur lirimin e hapësirave”thotë Alban Dafa, hulumtues i çështjeve të sigurisë.

Prokurori Bledar Bejko u konfirmua në detyrë gjatë përballjes me procesin e vettingut më datën 26 maj 2022 nga trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtar Olsi Komicin. Ai pati dy seanca dëgjimore me pyetje mbi kriteret e pasurisë dhe profesionalizmit.

4 ditë pas konfirmimit në detyrë Bejko ka pushuar akuzën e ngritur mbi kallzimin e Flotës Detare për pushtimin e tokës dhe ndërtimin pa leje në pronën e ushtrisë nga koncesionari i Porto Romanos, “Kastrati Group”.

Në gusht të vitit të shkuar Komisionerja Publike Irena Nino e ka konsideruar të pambështetur në vlerësim të drejtë të fakteve vendimin e KPK-së për konfirimin në detyrë të z/Bejko për të tre kriteret e rivlerësimit: financiar, profesional dhe etik dhe ka kërkuar shkarkimin e tij nga detyra. Tashmë pritet vendimi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nëse Bejko do të konfirmohet ose jo në detyrë.

 

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy