Një tjetër incident i pazakontë është regjistruar në qytetin e Fierit, ku një gjarpër është futur në ambientet e një njësie shërbimi në lagjen “Liri”, pranë kryqëzimit të Sharrës.
Prania e zvarranikut ka shkaktuar panik dhe shqetësim te punonjësja e biznesit, si dhe te qytetarët që ndodheshin në zonë në ato momente.
Sipas dëshmitarëve, gjarpri është konstatuar duke lëvizur brenda ambienteve të njësisë së shërbimit, çka ka detyruar personat e pranishëm të largohen menjëherë për arsye sigurie.
Pas njoftimit, është ndërhyrë për largimin e zvarranikut, pa u shënuar dëme materiale apo persona të lënduar.
Ky është rasti i tretë i regjistruar brenda pak ditësh në Fier, duke rritur shqetësimin e banorëve për praninë e gjarpërinjve në zona të banuara dhe pranë aktiviteteve tregtare.
Qytetarët kërkojnë nga institucionet përkatëse marrjen e masave për monitorimin dhe kontrollin e zonave ku këta zvarranikë po shfaqen gjithnjë e më shpesh, me qëllim garantimin e sigurisë së banorëve dhe bizneseve.



