Një operacion i Policisë së Shtetit ka goditur një rast të trafikimit të lëndëve narkotike nga Maqedonia e Veriut drejt Shqipërisë. Në kuadër të operacionit të koduar “Trajektorja”, janë arrestuar në flagrancë dy persona, ndërsa është sekuestruar 1 kilogram heroinë.
Sipas policisë, operacioni u zhvillua pas një hetimi të kryer me metoda speciale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me strukturat për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, ndaluan një automjet tip furgon në aksin rrugor Bulqizë–Librazhd.
Gjatë kontrollit të imtësishëm, efektivët gjetën një çantë shpine të fshehur në gomën e pasme të automjetit, ku ndodhej 1 kilogram lëndë narkotike e dyshuar heroinë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se droga ishte siguruar në Maqedoninë e Veriut nga shtetasi L. G., 32 vjeç, banues në Strugë, dhe ishte futur në territorin shqiptar përmes kufirit të gjelbër. Sipas policisë, lënda narkotike do t’i dorëzohej shtetasit A. B., 45 vjeç, banues në Durrës, me qëllim shitjen e saj në Shqipëri.
Në përfundim të veprimeve procedurale, të dy shtetasit u arrestuan për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 kilogram heroinë, një furgon tip “Fiat”, dy telefona celularë, si dhe 40 mijë lekë, 50 euro dhe 290 denarë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.



