“All included” u kodua një operacion i policisë së Tiranës gjatë të cilës u vu në pranga një person i cili shiste kokainë, ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”.
Si rezultat i këtij operacioni nga efektivët e komisariatit të policisë Nr.2 u arrestua shtetasi E. S., 41 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e policisë kanë kapur në flagrancë në rrugë, shtetasin E. S., i cili kishte dalë nga banesa në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, që i kishte caktuar atij, masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 41-vjeçarit dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
103 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, që e posedonte me qëllim shitjen në doza;
23 000 lekë dhe 940 euro, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndëve narkotike;
1 armë të ftohtë, 1 bllokues valësh, 1 radio policie, municion luftarak dhe sende të tjera të kundërligjshme.



