
Pas vetëdorëzimit të autorit të vrasjes së ndodhur të dielën në Kavajë, policia ka shoqëruar edhe shokun e Habib Rexhës. Ervis Kurti dyshohet se ka ndihmuar 31-vjeçarin të largohej pas krimit të rëndë, e pohuar kjo edhe nga dëshmia e Rexhës së dhënë në polici. Sipas tij, Kurti e ka shoqëruar me makinë drejt Kukësit.
Ndërkohë, Habib Rexha është shprehur se Arjan Gosën e vrau nga gjaknxehtësia. Vrasja sipas tij ishte e paplanifikuar, ndërsa e ka parë viktimën e tij rastësisht në kafe dhe më pas ka vepruar. Pas kësaj është larguar bashkë me një shok nga Durrësi në drejtim të Kukësit.
“Isha pranë një kinkalerie bashkë me një shokun tim. Pashë që shënjestra ka qenë ulur në lokal. Pashë atë dhe ika 300 metra larg. Lashë makinën atje dhe u ktheva në këmbë. Armën e mbaja me vete. Shoku nuk ka qenë në dijeni. E pashë rastësisht në kafe. Veprova nga gjaknxehtësia. U largova bashkë me shokun nga Durrësi në drejtim të Kukësit”, tha ai para hetuesve.



