Një martesë ne proces divorci ka përfunduar në tragjedi për Liljana Buzon, 54-vjeçaren nënë të 3 fëmijëve. Bashkëshorti i saj, ish-efektiv i policisë, 58-vjeçari Koço Buzo, e qëlloi me breshëri kallashnikovi duke e lënë të vdekur, pas seancës gjyqësore për zgjidhjen e martesës mes tyre.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e së enjtes në afërsi të gjykatës së Elbasanit. Autori, ish edfektiv policie ka qëlluar duke lënë të plagosur rëndë bashkëshorten e cila ndërroi jetë rrugës për në spital, por plumbat kapën edhe dy persona të tjerë, Gëzim Tosila (avokati i viktimës) I cili u plagos me tre plumba, e më pas u transportua me urgjencë në spital dhe Adriatik Kolaj.
Burime bëjnë me dije se çifti Buzo ishte në proces divorci për shkak të dhunës që bashkëshorti ushtronte ndaj gruas së tij, e cila mbeti viktimë, ndërsa e gjithë skena u zhvillua në sytë e djalit të çiftit që ishte në konflikt.
Mësohet se djali i çiftit në tentativë për të mbrojtur mamanë i ka marrë armën e krimit babait dhe në moment kur tentoi të qëllonte mbi të i ka ngecur arma. Policia ka bërë të mundur arrestimin e autorit të krimit, ndërkohë që djali i çiftit gjendet në gjendje tepër të rënduar psikologjike.
58-vjeçari Koço Buzo është vënë në pranga menjëherë nga policia, teksa i është sekuestruar arma kallashnikove dhe një thike që e mbante me vete.



