
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi ka njoftuar sot se po vijon falas për fermerët, procesi i profilaksisë shtetërore kundër sëmundjes së plasjes.
“Trupa e Shërbimit Veterinar të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) ka realizuar deri më tani rreth 85% të vaksinave të vëna në dispozicion”, tha Ekonomi.
MBZHR gjatë muajit maj po kryen në të gjithë vendin vaksinimin e bagëtive të imta, gjedhi, derrat dhe njëthudrakët, në zonat me risk të lartë për shfaqjen e sëmundjes së Plasjes.
Në përputhje me zbatimin e Programit Kombëtar të Kontrollit të Plasjes, për vitin 2021, AKVMB ka nisur kryerjen e profilaksisë shtetërore për vaksinimin e këtyre kafshëve, duke garantuar siguri shëndetësore të blegtorisë me impakt të drejtëpërdrejtë në sigurinë ushqimore të konsumatorëve.
Dozat e vaksinave administrohen falas nga veterineret zyrtarë të shërbimit në 38 fshatra që i përkasin qarqeve Gjirokastër, Vlorë, Dibër, Berat, Elbasan, Shkodër dhe Kukës.




