
Prokurori i Krimeve të Rënda, Gentian Osmani, është rikonfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Konfirmimi në detyrë i Osmanit është bërë pas raportit pozitiv të dorëzuar nga ILDKPI dhe DSIK, pranë treshes gjykuese të Komisionit. Duke ndier keqardhje për kolegët e tij të shkarkuar, prokurori Osmani u shfaq i emocionuar pas vendimit të KPK-së, ndërsa e cilësoi procesin për të, të njëjtin me atë të magjistraturës.
Prokurori i Krimeve të Rënda, Gentian Osmani, ka në dorë dosje të rëndësishme, përfshirë atë të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe vëllait të ministrit, Fatmir Xhafajt, Agron Xhafajt, dosje të cilat sipas tij do të vazhdojnë të hetohen me prioritet.
Prokurori Osmani, njëkohësisht edhe zv.drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, është edhe kandidat për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ndërsa është edhe një nga akuzat që ka kërkuar arrestimin e ish-ministrit Tahiri, për përfshirje të tij në trafik ndërkombëtar narkotikësh.



