Autoritetet e drejtësisë në Britani kanë dënuar me burg tre persona, të akuzuar për tentativë rrëmbimi ndaj një shtetasi. Mediat vendase shkruajnë se dënimi është dhënë ndaj shtetasit Faisal Fareed, 23 vjeç, Faizaan Fareed, 26 vjeç dhe Nicholas Shaw, 45 vjeç. Në total, ata janë dënuar me 27 vjet burg. Ata akuzohen për rrëmbimin e një personi, pasi e kishin ngatërruar me një shpërndarës droge me shtetësi shqiptar.
Ngjarja ka ndodhur më 13 Qershor të vitit të shkuar, kur një burrë rreth të 40-ave po kthehej në shtëpi nga puna. Por pasi doli nga makina e tij u sulmua nga 3 persona të cilët ishin të pajisur me armë të ftohta.
Ata e rrëmbyen personin në fjalë dhe e futën në makinë, ku e çuan në Darwen. Rrëmbyesit e akuzonin se ishte një shpërndarës droge shqiptar. Ata e kërcënuan personin në fjalë me thika, por kishin bërë një gabim. Ai nuk ishte shqiptari që kërkonin.
Autorët e lanë personin në fjalë brenda makinës kur panë një mjet policie. Më pas ishte vetë i rrëmbyeri që ngriti alarmin dhe në ndihmë të tij erdhi policia. Ai u dërgua në spital pasi kishte pësuar 14 plagë thike dhe një mushkëri nuk i funksiononte.



