
Sekuestrot e pasurive të urdhëruara nga SPAK në kuadër të hetimeve për skandalin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, kanë evidentuar disa lidhje të reja biznesi, apo raporte aksionerësh.
Një prej tyre verifikohet në Equos Resort, në të cilin pak pak ditë më parë u sekuestruan disa vila që cilësohet se janë pjesë e pasurive të Ergys Agasit, kreu i të ashtuquajturit grup kriminal të AKSHI-t. Në këtë sipërmarrje, figuron si aksioner edhe Shkëlqim Hoxha, ish-kandidat i PD në zgjedhjet e mbajtura në Bashkinë e Rrogozhinës në 2023, fakt që u raportua së fundmi në mediat online.
Marrëdhënia e Hoxhës me Agasin nuk provohet, pasi ky i fundit nuk figuron zyrtarisht si aksioner dhe se pasuritë e supozuara se janë të tijat kanë rezultuar të tilla nga hetimet. Megjithatë, është pak e çuditshme që pjesëmarrja në aksione të bëhet mbi mosnjohjen totale të ortakëve apo pronarëve faktikë. Me letra Hoxha rezulton të ketë 45% të aksioneve ndërsa ortaku i tij, Klodian Shehi, 55%.
Dhe vetë zoti Hoxha mohon të ketë njohje me Ergys Agasin, edhe pse pranon se është në dijeni të veprimeve të SPAK, në resortin ku ai ka 45% të aksioneve.
Ky lajm nuk ka lidhje fare me mua. S'ka asgjë të vërtetë. Jam aksioner të Equos. Por s'është ortak ai me mua. Në qoftë se ka një dokument që ai ka aksione aty, të nxirren. Nuk është ortak, unë nuk e njoh as si fytyrë nëse e shoh në rrugë. Nuk më lidh asgjë me të. Nëse do ai të vijë ta blejë, të japë lekët dhe ta bëjë, por diçka e tillë nuk ka ndodhur. Ka një rrëmujë, por unë nuk jam në dijeni për asnjë procedurë. Ortaku im ka dëshmuar dhe është marrë me rastin. Unë nuk kam dijeni!
Gjatë aksionit të pak ditëve më parë, SPAK sekuestroi edhe një sasi verërash të shtrenjta te Equos Resort, për të cilat pretendon se janë produkt i krimit.



