Operacioni Forca e Ligjit u ka trokitur në derë sot katër të fortëve në Berat, të cilët duhet të justifkojnë pasurinë brenda 48 orësh. Bëhet fjalë për Dritan Zhuka, Altin Zhuka, Byniamin Hajro dhe Alsid Vrapi. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
Dritan Zhupa, banues Berat, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese”;
Altin Zhupa, banues në Berat, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese”;
Byniamin Hajro, banues në Berat, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “’Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim;
Alsid Vrapi, banues në Berat, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.



