
Nesër nën organizimin e ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, do të mbahet në Prishtinë takimi “Regional Alliance on Smart Defence”, i ministrave të Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi, Sllavjanka Petrovska ministrja e Maqedonisë së Veriut dhe ushtruesit të detyrës së ministrit të Mbrojtjes së Malit të Zi, Filip Adziq.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate nga Ministria e Mbrojtjes.
“Nën organizimin e Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, nesër më 10 shkurt, do të mbahet takimi i ministrave të Mbrojtjes së Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi”, thuhet në komunikatë.
Ndërsa në ora 12:00 është paralajmëruar se do të lexohet deklarata e përbashkët e katër ministrave të mbrojtjes.
Siç thuhet në platformën e Qeverisë për pjesëmarrjen e delegacionit, takimi do të jetë një mundësi për të shkëmbyer mendime mbi temën e sfidave globale të sigurisë, sigurinë rajonale, përmirësimin e konceptit të bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes, si dhe shqyrtojnë modalitetet e bashkëpunimit të ardhshëm dhe ofrimin e një kontributi të përbashkët për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.



