Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Outside” ka vënë në pranga një person i cili kishte shkelur masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Në kuadër të këtij operacioni, efektivët e komisariatit nr.6 bënë arrestimin e A. K., 32 vjeç, banues në Vaqarr.
32-vjeçari është kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë, në vendin e quajtur “Kodër Shkretë”, me doza me lëndë narkotike kanabis sativa.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se pasi siguronte sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike kanabis sativa, 32-vjeçari e shiste më pas atë, në doza të vogla, kryesisht në zonën e Vaqarrit dhe të Kombinatit.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore ka rezultuar se 32-vjeçari ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të banesës së shtetasit A. K., shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa.
Ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.



