Operacioni policor i koduar “Baza” është finalizuar me sukses nga Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, pas një hetimi dyjavor. Gjatë operacionit, është zbuluar një qendër prostitucioni në Qerret të Kavajës, ku janë arrestuar dy shtetase kineze dhe janë proceduar 7 shtetas shqiptarë.
Në kuadër të hetimit intensiv dhe të mirëorganizuar, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve, kanë goditur një rast të prostitucionit.
Në përfundim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i dy shtetaseve kineze:
C. Y., 42 vjeçe dhe Y. Sh., 41 vjeçe, të dyja të dyshuara për veprën penale “Prostitucioni”.
Gjithashtu, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 6 shtetas shqiptarë, të cilët dyshohet se kanë marrë shërbime seksuale kundrejt pagesës.
Nga hetimet ka rezultuar se dy shtetaset e huaja kishin marrë me qira një apartament në Qerret dhe, përmes komunikimeve në rrjetet sociale, kishin siguruar klientë duke ofruar shërbime seksuale me çmime që varionin nga 80 deri në 200 euro.
Dy shtetaset kishin hyrë në Shqipëri si turiste, por në realitet kishin nisur aktivitet të paligjshëm me qëllim përfitimi financiar.
Në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar shuma parash në euro dhe dollarë si dhe 2 telefona celularë, të cilët janë përdorur për komunikimet me klientët.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale.



