
Një ngjarje kriminale është parandaluar këtë të enjte nga Komisariati i Policisë numër 5 në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare nga Policia, mësohet se pas marrjes së njoftimit së në lagjen Paskuqan Nr. 2, një shtetas kishte kanosur me armë zjarri shtetasin M. D., 39 vjeç, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë efektivët e policisë.
Falë veprimeve të shpejta hetimore, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit Sh. K., 36 vjeç, banues në Paskuqan 2, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Ky shtetas, gjatë natës, i ka dëmtuar mjetin dhe më pas ditën e sotme, e ka kanosur me armë zjarri kallashnikov shtetasin M. D., banues në Paskuqan 2. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.



