Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë së Fierit kanë njoftuar se kanë sekuestruar 169 çadrat dhe 338 shezlongë të cilët ishin vendosur pa leje duke zënë hapësirën publike në dy plazhet e Fierit.
Gjithashtu janë proceduar penalisht administratorët e tre subjekteve të cilët zunë hapësirën publike.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier, Komisariatin e Policisë Divjakë dhe Policinë Bashkiake Fier e Divjakë, kanë liruar hapësirën publike, duke hequr 169 çadrat dhe 338 shezlongët që ishin vendosur pa lejen përkatëse, në plazhin e Darëzezës dhe Divjakës.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të vijës bregdetare, në plazhin e Darëzezës, në breg të detit u gjet një mjet uji tip gomone, i cili u dërgua në Stacionin e Policisë Kufitare Hoxharë, për verifikimin e dokumentacionit dhe identifikimin e pronarit. Nga kontrolli i mjetit lundrues, nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm.
“Ka nisur procedimi penal, për 45 vjeçarin me inicialet Sh. G. dhe 30-vjeçarin me inicialet E. G., të dy banues në Fier si dhe 29 vjeçarin M. K., banues në Divjakë”, njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.



