Gazetari Xhevair Zhabina tha në studion e MCN Live se industria e ndërtimit nuk do të kishte marr hovin e 10 viteve të fundit nëse nuk do të merrte mbështetjen nga paratë e pista të drogës.
Salvador Aliu është një 50-vjeçar nga Elbasani, i cili kishte ngritur një perandori të trafikut të kokainës. Ai qëndron në Ekuador. Ka pasur lëvizje edhe në Dubai, ku janë të vendosura grupe të tjera. Ishte personi që furnizonte me kokainë një pjesë të mirë të grupeve kriminale, Dritan Gjikën etj. Eldi Dizdari është pjesë e kësaj dosjeje, por na del edhe në disa dosje të tjera. Janë personazhe të tjerë që furnizoheshin prej tij.
Kishin ngritur disa kompani që donin të investonin në Tiranë dhe në jug. Parashikohej ndërtimi i një hoteli luksoz në Jalë. Ka informacione se do të ndërtohej edhe një kullë 34-katëshe në Tiranë, në zonën e Xhamllikut. Pasuria totale, sipas një hamendësimi të SPAK, është diku te 150 milionë euro.
Industria e ndërtimit, e cila në këto 10 vitet e fundit ka njohur një hov shumë të madh, nuk mund ta kishte këtë zhvillim pa paratë e këtyre personazheve. Kemi 600-700 milionë euro të sekuestruara. Një pjesë e madhe e tyre vijnë nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës.
Këta personazhe flasin dhe thonë: “Do të sjell 6 milionë euro”, “30 milionë euro”. I groposni diku.
Kjo industri nuk mund të qëndronte në këmbë pa paranë e pistë, këtë kam kuptuar.
Te dosja e disa ditëve më parë është edhe dëshmia e Alibeajt, i cili pranon se ka qenë pjesë e trafikut të kokainës. Ka dëshmi ku flet për marrëdhëniet me Koçekun dhe Shtufin.
Shtufi është bërë ky që është falë ndihmës së Artur Koçekut. Shtufi paraqitet si biznesmen me probleme dhe borxhe, ndërsa Koçeku mori përsipër t’i paguante borxhet e tij. Pas ndihmës së tij, Shtufi u bë një ndër biznesmenët më të rëndësishëm në Tiranë dhe në jug, pasi Koçeku i sillte para.



