Një person i dënuar për drogë dhe korrupsion është vënë në prangat e policisë në Kavajë, gjatë operacionit të koduar “Last move” (Lëvizja e fundit).
Në kuadër të këtij operacioni, në fshatin Qerret, Kavajë, u bë kapja dhe arrestimi i Alfred Mikelit, 45 vjeç, banues në Tiranë.
45-vjeçari ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, me vendimin e datës 18.12.2018, e ka dënuar me 10 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, me vendimin e datës 06.01.2022, ka caktuar ndaj këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Gjatë kontrollit fizik të Mikelit, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, shuma parash, dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara dhe dy aparate celulare.



