
Një person është vënë në prangat e policisë së Dibrës, pasi tentoi të kalonte me dokumente të falsifikuara 21 persona, me qëllim pajisjen e tyre me pasaporta bullgare.
Gjithashtu u proceduan penalisht për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh administratori aktual dhe ish-administratori i njësisë administrative Ostren, Bashkia Bulqizë.
Bazuar në informacionet e siguruara se disa persona falsifikonin dokumente të gjendjes civile me qëllim pajisjen e personave të ndryshëm me vërtetime sikur janë banorë të njësisë administrative Ostren dhe më pas këto dokumente do t’i dërgonin në Bullgari, me qëllim pajisjen me pasaporta bullgare, kanë nisur hetimet proaktive, të ndjekura me metoda speciale hetimi, për rreth 1 muaji, për goditjen e këtij grupi.
Gjatë operacionit të koduar “Identiteti”, në dalje të pikës kufitare të Bllatës, u bë ndalimi i shtetasit E. T., 49 vjeç, banues në Sofje, Bullgari.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në automjetin që ky shtetas drejtonte, iu gjetën 21 dokumente të dyshuara të falsifikuara për 21 shtetas të ndryshëm, me qëllim pajisjen e tyre me pasaporta bullgare.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për N. S., 53 vjeç, banues në fshatin Ostren, me detyrë administrator i njësisë administrative Ostren, Bashkia Bulqizë dhe B. M., 62 vjeç, banues në fshatin Lejçan, ish-administrator i njësisë administrative Ostren, Bashkia Bulqizë.
Këta dy personat gjatë ushtrimit të detyrës dyshohet se kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, duke lëshuar dhe falsifikuar dokumente të gjendjes civile për persona të ndryshëm, me qëllim përfitimin e pasaportave të shtetit bullgar.



