Familjarët e viktimës Rudina Tola që humbi jetën bashkë me dy fëmijët në fshatin Ostren të Bulqizës reagojnë për herë të parë pas tragjedisë.
Ata kërkojnë zbardhjen e ngjarjes pasi në dijeninë e tyre, nuk ka pasur bombol gazi në shtëpi.
“Kam qenë në spital në Peshkopi me nusen e djalit, pasi mora lajmin erdha direkt këtu. S’kemi parë as bombël asgjë, kanë qenë në gjendje shëndetësore në rregull. Se nga erdhi kjo nuk e dimë. Kemi besim që do zbardhet si ngjarje”, shprehet Sakip Sula, gjyshi i fëmijëve që humbën jetën në Ostren.
Një pistë tjetër hetimi përveç asfiksimit nga bombula e gazit është edhe helmimi, ndërsa ekspertët kanë marrë kampion nga ushqimi për të vërtetuar shkaqet e vdekjes.
Do të jetë autopsia ajo që do të përcaktojë saktë shkaqet, ndërsa sot u është dhënë lamtumira Rudina Tolës dhe dy fëmijëve të saj në fshatin Ostren të Madh, Bulqizë.



