Goditet një rast i shitjes së lëndëve narkotike në Vlorë, duke vënë në pranga një person dhe duke zbuluar banesën e marrë me qira prej tij, për të fshehur lëndën narkotike dhe për ta përgatitur për shitje.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale, u identifikuan tre që bashkëpunonin për këtë veprimtari kriminale.
Në vijim të veprimeve për rastin u arrestua në flagrancë shtetasi B. L., 53 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit A. I., 31 vjeç, banues në Vlorë dhe K. A., 27 vjeç, banues në Berat.
Shtetasi maqedonas B. L., dyshohet se kishte përshtatur banesën e tij me qira, në lagjen “10 Korriku”, për fshehjen dhe përgatitjen e lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis sativa, në sasi të vogla për shitje.
Gjatë kontrollit në këtë banesë, ku u kapën dhe dy shtetasit e tjerë, u gjetën sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis sativa, një peshore elektronike dhe tre celularë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.



