
Policia e Tiranës ka njoftuar ndalimin e dy shtetasve në Tiranë në një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis, në doza. Si rezultat i kontrolleve u arrestuan në flagrancë shtetasit: - A. H., 18 vjeç, dhe D. Sh., 46 vjeç, të dy banues në Tiranë. Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në Rrugën e Elbasanit, kanë lokalizuar automjetin tip "Audi" me drejtues shtetasin D. Sh., në të cilin, gjatë kontrollit, gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në një servis në posedim nga 46-vjeçari, në Mullet, shërbimet e Policisë kanë konstatuar automjetin tip "Porsche" me drejtues shtetasin A. H., në të cilin, gjatë kontrollit, gjetën sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, një pjesë e ndarë në doza, gati për shitje, si dhe një peshore elektronike, të cilat u sekuestruan gjithashtu në cilësinë e provës materiale. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi A. H. dhe D. Sh., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi siguronin lëndë narkotike, e ndanin në doza dhe i shisnin ato në zona të ndryshme të Tiranës. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



