Tre zyrtarët policorë të Kosovës, të cilët u liruan nga autoritetet e Serbisë, arritën në Kosovë përmes vendkalimit kufitar në Merdare. Pasi kaluan kontrollin serb, ata hynë në makina të Policisë së Kosovës dhe u nisën drejt Prishtinës, pa u deklaruar për mediat që ishin të pranishme. Drejtësia në Serbi i ngarkoi tre policët, Beqir Sefa, Mustafë Shemi dhe Rifat Zeka, me veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënim me burg deri në 12 vjet. Atyre iu shqiptua masa e paraburgimit më 16 qershor, por nuk ishte e qartë kohëzgjatja e saj. Avokati i tyre, Gradimir Nalliq tha se aktakuza kundër tyre është konfirmuar, por se ata do të mbrohen në liri. Gjykata e Lartë në Kralevë, qytet në pjesën qendrore të Serbisë, ku po mbaheshin tre policët, konfirmoi po ashtu ndërprerjen e masës së paraburgimit kundër tyre. Arrestimi i tre policëve nxiti reagime të shumta si në Kosovë, ashtu edhe te bashkësia ndërkombëtare, e cila kërkoi vazhdimisht lirimin e tyre. Qeveria e Kosovës pretendoi se ata janë arrestuar në territorin e saj, përkatësisht janë rrëmbyer.



