Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dy vjedhjeve të ndodhura së fundmi në qytet.
Pas administrimit të kallëzimeve të bëra nga dy qytetarë, të cilët denoncuan vjedhjen e një lokali dhe të një magazine, strukturat e policisë organizuan punën për zbardhjen e rasteve dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i një pune të organizuar dhe në bazë të këqyrjes së pamjeve filmike, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga autori i dy vjedhjeve, shtetasi egjiptian M. Sh., 43 vjeç, banues në Nikël.
Ai dyshohet se më datë 20.09.2025, ka vjedhur me thyerje një shumë parash në një lokal në Nikël si dhe më datë 03.10.2025, ka vjedhur vegla pune në një magazinë në fshatin Qerekë.
Vijojnë hetime për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer 43-vjeçari.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”.



