Shërbimet e Degës Doganore të Durrësit kanë bllokuar një anije në port, pasi gjatë një kontrolli fizik u konstatua një sasi e konsiderueshme karburanti e padeklaruar.
Sipas njoftimit zyrtar të doganës, ndërhyrja u krye në një anije të akostuar në një nga kalatat e portit, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për diferenca në sasinë e deklaruar të karburantit.
Gjatë verifikimit fizik nga punonjësit e doganës, u evidentuan rreth 16.8 tonë karburant që dyshohet se ishin të padeklaruara dhe të nxjerra kontrabandë nga anija.
Për këtë rast u hartua procesverbali i konstatimit fizik dhe u vendos bllokimi i menjëhershëm i mjetit lundrues, për të vijuar me procedurat e mëtejshme ligjore dhe verifikuese.
Dega Doganore Durrës thekson se do të vijojë kontrollet operative për parandalimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e interesave financiare të shtetit.
