Policia e Lezhës ka goditur dy raste të transportimit të emigrantëve, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit, duke vënë në pranga dy persona dhe dy të tjerë nën hetim.
Operacioni i koduar “Autostrada” u kurorëzua, si rezultat i bashkëpunimit intensiv ndërmjet Njësisë së Policisë Rrugore për Sigurinë e Autostradës “Milot - Morinë”, Komisariatit të Policisë Mirditë dhe Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë.
Në autostradën “Milot-Morinë”, në Thirrë, Mirditë, shërbimet e policisë kanë evidentuar dhe ndaluar dy automjete dhe pas kontrollit të ushtruar në secilin prej tyre, kanë gjetur, në njërin prej tyre, 6 emigrantë nga vendet e treta MENA, të cilët po transportoheshin kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit. Gjatë kontrollit në automjetin tjetër nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm. Në këtë automjet ndodhej vetëm drejtuesi i tij, shtetasi J. L., i cili shoqëronte dhe ruante automjetin me emigrantë.
Në vijim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë të dy drejtuesit e automjeteve, shtetasit B. M., 26 vjeç, banues në Kosovë dhe J. L., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Në vijim të operacionit “Autostrada”, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, pas disa orësh, është evidentuar dhe goditur një rast tjetër i transportimit të emigrantëve kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit. Në vendin e quajtur Fang, Mirditë, gjatë kontrollit të ushtruar në autobusin e linjës “Tiranë-Prishtinë”, janë gjetur dy emigrantë nga vendet e treta MENA.
Në vijim të veprimeve, u proceduan penalisht shtetasit B. I., 54 vjeç dhe I. H., 33 vjeç, banues në Tiranë, shofer dhe faturino të këtij autobusi, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Lidhur me këto raste materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.



