Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Lugi Soreca, ka përshëndetur operacionin e ndërmarrë nga autoritetet italiane anti-mafia në bashkëpunim me SPAK dhe Policinë e Shtetit për të shkatërruar një rrjet ndërkombëtar të trafikimit të drogës.
Në tëeet-in e tij, Ambasadori shkruan se një operacion tjetër i rëndësishëm kundër krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës në Shqipëri, Itali, Mal të Zi dhe Spanjë është zhvilluar falë bashkëpunimit të Anti-mafias italiane (DIA) me autoritetet shqiptare SPAK dhe Policia e Shtetit mbështetur nga Eurojust-i.
Soreca gjithashtu shkruan se falë operacionit janë arrestuar 38 persona dhe janë sekuestruar asete me vlerë miliona euro.
“Lufta kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave janë përparësitë kryesore të Bashkimit Evropian dhe të Shqipërisë në rrugën e saj të hyrjes në BE”, mbyll shkrimin e tij Ambasadori.
Mëngjesin e sotëm falë operacionit ndërkombëtar “Shpirti”, u arrestuan 28 persona nga 38 urdhra-arreste. Përfshirë këtu një prokuror dhe një ish-oficer policie.
Ndërkohë dhjetë persona të tjerë të përfshirë në këtë grup kriminal janë arrestuar më herët.



