
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, , finalizuan operacionin policor të koduar “Fake Cash”.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan dy vëllezërit, të dy të dyshuar për hedhjen në qarkullim të kartëmonedhave false.
Shërbimet e Policisë kanë kapur shtetasit E. Gj., 27 vjeç dhe J. Gj., 28 vjeç (vëllezër), të dy banues në Vlorë,dhe kanë ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, që i ka caktuar Gjykata e Vlorës, secilit prej tyre, me vendimin e datës 10.02.2026.
Ata u kapën në flagrancë ndërsa po përpiqeshin të shpërndanin kartëmonedha të falsifikuara në disa pika tregtare në qytetin e Vlorës.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit të tyre, shtetasit E. K., 24 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë operacionit u sekuestrua një sasi e konsiderueshme kartëmonedhash (dollarë) të dyshuara të falsifikuara, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertimit, dhe 4 celularë.
Strukturat e DVP Vlorë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.



