
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit ka shkatërruar një grup kriminal i drejtuar nga një shqiptar, që operonte në Norvegji.
Burimet zyrtare bëjnë me dije se shtetasi shqiptar F.P ka drejtuar një grup të strukturuar kriminal që dërgonte sasi të ndryshme me lënde narkotike kokainë dhe marijuanë në Norvegji dhe këto shiteshin nga shtetas shqiptar dhe të huaj në atë vend. Të ardhurat e fituara nga trafikimi i narkotikëve u dërgoheshin shtetasit nën hetim, F.P, përmes agjencive të transferimit të parave ose cash.
Gjithashtu një shtetase A.A ndodhet në "arrest shtëpie" pasi akuzohet për kryerjen e veprave penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
“Ndërkohë, dhe Autoritetet Gjyqësore Norvegjeze kanë caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”, ndaj disa personave të cilët dyshohen se janë pjesë e të njëjtit grup të strukturuar kriminal.
Në datën 20.10.2021, në dakortësi me Autoritetet Gjyqësore Norvegjeze dhe në të njëjtën orë, Policia e Shtetit ka ekzekutuar masën e sigurimit ndaj shtetases A. A., ndërsa është proceduar me nxjerrjen e një urdhër kërkimi ndërkombëtar për shtetasin F.P. Ndërkohë edhe autoritetet gjyqësore norvegjeze kanë proceduar me ekzekutimin e masave të sigurimit dhe ushtrimin e kontrolleve në territorin e tyre.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit realizoi kontrollin e disa banesave dhe kontrollin personal të disa shtetasve në qytetet Tiranë dhe Lezhë. Gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dokumente të ndryshme me interes për hetimin.
Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë duke kryer të gjitha verifikimet e nevojshme dhe hetimin financiar për të gjithë personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal.”, shkruhet ndër të tjera në njoftimin e SPAK.



