
Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Arlend Hasanajn, i cili akuzohet se vendosi tritolin pak ditë më parë në shtëpinë e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka.
Trupa gjyqësore e dha këtë vendim pavarësisht pretendimeve të avokatit të Hasanajt, sipas të cilit klienti i tij kishte qenë në një qendër tregtare në Tiranë vetëm 20 minuta para shpërthimit në shtëpinë e Dukës.
Ngjarja ndodhi pak pas orës 22:00 të 24 janarit. Gjithçka ndodhi brenda pak sekondash ku i riu ndezi fitilin e lëndës plasëse dhe më pas u largua me vrap. Vetëm pak çaste pas shpërthimit në zonë shfaqet policia.
Hasanaj rezulton me një djegie në dorën djathtë dhe dyshimet janë se 34-vjeçari është djegur gjatë ndezjes së fitilit në momentin para se të hidhte kallëpin e tritolit në portën e jashtme të oborrit të Dukës mbrëmjen 24 janarit në Durrës.



