Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë njoftoi se ka finalizuar, pas muajsh hetimesh me metoda proaktive, operacionin policor të koduar “Doublefront”, për një rast shpërdorimi detyre.
Në kuadër të këtij operacioni, është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Tiranës, për shtetasin E. Sh., 37 vjeç, ndërkohë që është shpallur në kërkim shtetasja A. S., 30 vjeçe.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi E. Sh. dhe shtetasja A. S., që ushtrojnë detyrat përkatëse si shpërndarës i porosive dhe financiere në një subjekt që shiste tekstile me metrazhe, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë periudhës 2023-2024, kanë vjedhur rreth 409,000 euro nga ky subjekt, duke manipuluar faturat e shpërndarjeve.
Punohet intensivisht për kapjen e shtetases A. S.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.



