
Një 64-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi në banesën e tij u gjet një arsenal armësh dhe pajisjesh që mbaheshin në kundërshtim me ligjin.
Policia e Tiranës bëri të ditur se gjatë kontrollit në një banesë në rrugën “Pasho Hysa”, u sekuestruan 7 karikatorë armësh, 1 pistoletë me mulli, 4 armë të ftohta, uniforma policie, një shkop gome dhe një sasi e konsiderueshme municioni, të gjitha të mbajtura pa leje nga pronari i banesës, shtetasi A. D., 64 vjeç.
Në përfundim të operacionit, A. D. u arrestua në flagrancë dhe ndaj tij rëndojnë disa vepra penale si “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.



